Sezon i vështirë dhe me humbje të mëdha vlerësohet ky vit për sektorin e hoteleri-turizëm në qytetin e Durrësit. I goditur fillimisht nga tërmeti dhe më pas nga pandemia e koronavirusit, sektori i turizmit ka njohur humbje të mëdha.
“Është një sezon turistik shumë i varfër,”, shprehet kryetari i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Eduard Xhepa ndërsa thotë se gjatë muajve qershor-korrik është punuar me 20% të kapaciteteve, kurse në gusht me 40%.
Ai shton se këtë sezon plazheve u kanë munguar turistët me pushime afatgjata, ndryshe nga një vit më parë. Një shpresë për rimëkëmbjen e turizmit shihet te zgjatja e sezonit përtej tre muajve të verës.
“Sezoni veror vazhdon dhe nuk është mbyllur akoma, dhe ky është një lajm shumë i mirë sepse ne kemi shumë vite që punojmë për ta zgjatur sezonin turistik në Shqipëri sepse dhe klima është shumë favorizuese dhe është shumë mirë për ta zgjatur sezonin nga maji deri në tetor. Kjo ka ndodhur për shkak të protokollit dhe pandemisë, njerëzit kanë shtyrë pushimet për në shtator, tetor, për të mos qenë të përfshirë në periudhën pik të sezonit siç ishte gushti”, thotë ai.
Sipas llogaritjeve paraprake, të ardhurat e siguruara nga ky sektor kanë pësuar rënie me 70 % në krahasim me të njëjtën përiudhë një vit më parë.
Fitimet konsiderohen të pamjaftueshme për të zgjidhur krizën që përfshiu hoteleritë që prej nisjes sezonit.





