Gjyqtarja Mimoza Margjeka është përplasur me policët, të cilët e kanë shoqëruar këtë mesditë për në Gjykatën e Posaçme, për t’u marrë në pyetje mbi akuzën për korrupsion.
Siç shihet dhe në video, gjyqtarja iu është drejtuar me një gjuhë të ashpër policëve, duke thënë se e dërguan në bodrumin e një gjykate tjetër dhe jo te Gjykata e Posaçme.
Pjesë nga debati i gjyqtares me policët dhe gazetarët:
Margjeka: Kam 1 vit që pres që këta të vijnë të më arrestojnë. Jam e kënaqur që e bënë.
Polici: Të lutem
Gjyqtarja: Më jep urdhrin, se i bëni gjërat kështu. Është e frikshme situata juaj. Mos fol mo zotëri, pse flet? Ti bërë punën tënde. Më tregove urdhrin e shoqërimit. Pse i bëni gjërat mbrapa? Ju nuk dinit ku do më çonit, është e turpshme. Më çuan në bodrumin e gjykatës, ju thashë ‘ku më çoni, se kam frikë nga ju’.
Fillimisht gjyqtarja është dërguar në tunelin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe më pas është sjellë te Gjykata e Posaçme, ku po zhvillohet prej disa orësh seanca gjyqësore për të arrestuarit.
“Kam 5 orë që pres policinë që të vijnë të më shoqërojnë. në 09:30 jam bërë gati dhe kam njoftuar avokatin dhe të gjithë. Nuk ka shkresë shoqërimi. Unë nuk kam asnjë, janë stisje të shtetit, një police femër nuk kishit dhe më çuat në bodrum. Unë nuk jam njeri ordiner, kur ma bëni mua. Një urdhër e kanë marrë dorazi se kanë harruar, harrojnë gjyqtarin që e bën zhele për dy ditë, ca i bëni njerëzve ju. Është e turpshme, po më dhemb koka. E kam pritur një vit që pres të më arrestojnë, Jam e kënaqur që e bën. Gjykata të kontrolloj dokumentet se i bëjnë mbrapa”, tha Margjeka.





