Mësimi këtë vit shkollor 2020-2021 do të zhvillohet si kurrë më parë, në kushte të pazakonta, për shkak të pandemisë së koronavirusit që ka mbërthyer mbarë globin.

Nën një protokoll të rreptë rregullash, u vendos që mësimi të fillojë të hënën më 14 shtator në të gjitha shkollat e vendit, ku mësimi do të kryhet me turne dhe në ato klasa ku numri i nxënësve është i madh, do të bëhet ndarja e tyre.

Ky proces është edhe më i vështirë në qarkun e Durrësit, i cili është më i godituri nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kur si pasojë u dëmtuan rëndë edhe një pjesë e mirë e shkollave, të cilat janë shembur apo janë në proces shembjeje.

Por si do të shpërdahen nxënësit e shkollave të prishura dhe si do të kryhet ndarja e turneve…

Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, pasqyron për “DurrësLajm” gjendjen e shkollave për këtë fillim viti, nisur nga gjendja e godinave dhe numrit të nxënësve:

  • 5 shkolla do të zhvillojnë mësim në një turn. Numri i nxënësve të këtyre shkollave është 1644. Në këto shkolla plotësohen kushtet për realizimin me orë të plota 45 minutëshe.
  • 6 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 1918. Në mjediset e këtyre shkollave mësimi mund të realizohet i plotë, pasi ato nuk operojnë si shkolla pritëse të një IAP-je tjetër.
  • 33 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 16828. Këtu përfshihen të gjitha ato IAP ku godina përdoret prej dy shkollave njëkohësisht. Në këto kushte godinat përdoren me 2 turne paradite nga një shkollë, dhe 2 turne pasdite nga shkolla e dytë.
  • 2 shkolla do të zhvillojnë mësim me tre turne për arsye të numrit të madh të nxënësve dhe kapacitetet e kufizuara të godinës. Numri i nxënësve në këto shkolla është 1099.
  • 8 shkolla do të zhvillojnë mësim me 4 turne për arsyen e mësipërme. Numri i nxënësve 3735.

“Sigurisht që jemi përpjekur të shohim të gjitha mundësitë dhe të shfrytëzojmë të gjitha variantet/skenaret për të mundësuar nisjen e vitit shkollor për të gjithë fëmijët e rrethit Durrës. Pothuajse të gjitha godinat shkollore në qytetin e Durrësit do të presin nxënës të dy shkollave, por shpresojmë që pas muajit nëntor situata të përmirësohet pasi shpresojmë që të paktën 2 godina të reja, të cilat janë në ndërtim, të vihen në funksion. Këtu kam parasysh godinën e shkollës “Shaqe Mazreku” dhe atë të “Neim Babametos””, deklaron Matohiti për “DurrësLajm”.

Në total, në Durrës janë plot 24 624 nxënës që më 14 shtator ulen në bankat e shkollës me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë; 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 janë maturantë.

    Ndërkohë, më poshtë, “DurrësLajm” publikon të plotë listën e shkollave që janë shembur apo janë në pritje për t’u shembur; si dhe listën e 33 shkollave pritëse ku do të transferohen nxënësit:

    SHKOLLAT JOFUNKSIONALE

    1. 14 Nëntori
    2. Adem Gjeli Gjuricaj
    3. Armath
    4. Bedrie Bebeziqi
    5. Benardina Qerraxhi
    6. Dhosi Liperi
    7. Fshati Rinia
    8. Gjergj Kastrioti
    9. Hamallaj
    10. Hasan Koçi
    11. Ismet Nanushi Kullë
    12. Naim Frashëri
    13. Neim Babameto
    14. Njiazi Mastori
    15. Qemal Mici
    16. Rrashbull
    17. Shaqe Mazreku
    18. Xhelal Shtufi Shkafane
    19. Eftali Koçi
    20. Ishëm
    21. Olsi Lasko

    SHKOLLAT FUNKSIONALE DHE PRITËSE

    1. Shkolla e Re
    2. Abedin Dino
    3. Armath
    4. Artan Zeka Qerret
    5. Bajram Curri
    6. Jusuf Puka
    7. Nënë Tereza
    8. Bishtkamëz
    9. Demokracia
    10. Manëz
    11. Dom Nikoll Kaçorri
    12. Fllakë
    13. Hajdar Dushi
    14. Hamza Muça Shkallnur
    15. Rrushkull
    16. Jan Kukuzeli
    17. Isuf Ferra
    18. Lalëz
    19. Jubë
    20. Jusuf Hoti
    21. Kuçok
    22. Kushtrimi i Lirisë
    23. Leonik Tomeo
    24. Marie Kaçulini
    25. Met Hasa
    26. Myslim Hida Arapaj
    27. Pren Simoni Draç
    28. Riza Shera Radë
    29. Romanat
    30. ShënVlash
    31. Vadardhë
    32. Vasil Ziu
    33. PLM

    Me rinisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, iu drejtohet me një thirrje mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikmëri të masave që frenojnë përhapjen e Covid-19.
    Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin, duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit SARS COV 2.

    S.L.