Presidenti i Partise së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar përfshirjen e politikanëve shqiptarë në zgjedhjet në Maqedoninë Veriore.

Meta në një prononcim për FrontOnline, ka bërë të ditur që në zgjedhjet në Maqedoninë Veriore është përfshirë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

“Nuk kam informacion që Kryeministri, Albin Kurti është përfshirë në zgjedhjet në Maqedoninë Veriore, Erion Veliaj e Edi Rama janë duke u përfshirë në këtë fushat dhe nuk është mirë.

Mendoj që nuk është mirë që politikanët shqiptarë të përfshihen në garën midis shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. Besojmë që në Maqedoninë e Veriut një ndryshim i fortë po vjen dhe kjo është për të mirën e rajonit tonë”, tha Meta për FrontOnline.

Meta gjithashtu foli edhe për raporte Kosovë-Shqipëri, duke e akuzuar Edi Ramën për prishjen e marrëdhënieve dhe se sipas tij Rama e sheh Kosovën veç si aneks për shitje e blerje, duke ju referuar idesë për korrigjim e kufijve.

“Nuk besoj që ka ndonjë fëmije në trojet shqiptare e më mbarë globin që nuk di se faktori kryesor I këtyre marrëdhënieve tërësisht të sforcuara dhe aspak të dobishme mes Kosovës e Shqipërisë, është ai, Edi Rama, është ai që ka pasur konflikte me të gjithë drejtuesit e Kosovës dhe jo vetëm me Albin Kurtin.

Është ai që e ka hedhe në gjyq ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, konflikte kishe edhe me Isa Mustafën, dhe të gjithë udhëheqësit që kanë qenë në detyre, sepse ky e shikon Kosovën si një aneks për tu shitur dhe për tu blerë sipas interesave të mbijetesës se tij në pushtet në Shqipëri,” tha Meta.

Kryetari i Partisë së Lirisë, foli edhe për situatë politike në Shqipëri, duke u shprehur që opozita do e marrë pushtetin.

“Opozita do e marrë pushtetin në Shqipëri, kjo është e pa diskutueshme dhe çdo përpjekje që behet tani për i mbijetuar tashmë një uragani mbarë popullor që ka nisur, pas zbulimeve skandaloze të kompanive të kompanisë ‘5D’ të Bashkisë së Tiranës, dhe skandaleve që po thellohen të inceneratorëve të Tiranës që nuk ekziston dhe shumë arsyeje të tjera. Opozita është në rrugën e sigurt drejt marrjes së pushtetit”, deklaroi ai.