Nga Bujar QESJA

Drejt Tufinës, në pasditen e 9 majit 2024, shoqërohet kortezhi që mban në krah arkivolin e një durrsaku me emër. Më saktë, përfaqësues i një dinastie shumë të njohur në Durrës. Quhet Aleksandër Boshnjaku, apo Leka i mirënjohuri i fotografisë. Goditja e papritur në zemër, ishte fatale. Kur na kap trishtimi në raste të tilla, vendosim të jemi në një mëndje: durrsakët e vjetër po ikin, po largohen nga kjo jetë. Po paksohemi. Jeta ecën dhe brezat ndryshohen. Të rinjve do t’u ngacmohet kujtesa, vetëm nga historia e paraardhësve. Kështu ndodh edhe me Leka Boshnjakun.

Në shtëpinë e vjetër, të lagjes numur 4 dhe në rrugën “Nail Kondi”, m’u përbëri, jetonte familja e tregtarit dhe eruditit të famshëm Anton Boshnjaku. Lidhja fisnore shkon fort edhe në Tiranë. Ky Anton, aksionier edhe i punishteve të hershme të cigareve në Durrës, diku nga vitet 20-të, kishte dy djem dhe një vajzë: Kristaq Boshnjakun, heroin e Luftës dhe i rënë në kampin e përqendrimit në Prishtinë, Petraq Boshnjakun dhe vajzën Elsën. Nga martesa e dytë me Lubicën, Anton Boshnjaku shtohet me vajzat Mariuça, bashkshorte e ustait të drurit Pal Lala, Frosina, bashkshorte me piktorin, studiusin dhe përkthyesin Agim Kavaja, Natasha dhe Lida.

Por Petraq Boshnjaku, Durrësi ka edhe një rrugë me këtë emër, bëri histori me fotografinë. Arkiva e fotos durrsake, ndër të njohurit si Xhemal Topi, Esat Hafizi ka në evidencë edhe emrin e Petraq Boshnjakut. Historia e vjetër dhe e re e Durrësit, është strehuar në punën pasionante dhe prej shumë dekadash të Petraq Boshnjakut. Dhe rruga e jonë “Nail Kondi”, ne djemtë dhe njerëzit e saj, kemi qenë të privilegjuar, se në mjaft kujtime janë fotot e bëra nga dora e Petraq Boshnjakut.

U shtriva tek Boshnjakët, tek Antoni dhe Petraqi, për t’i dhënë sinjalin lexuesit se me 9 maj 2024, i kemi dhënë lamtumirën Leka Boshnjakut, i cili ka meritën se trashëgoi zanatin e të jatit, madje edhe studion e tij me emër “Boshnjaku”. Leka ishte një djalë i urtë dhe zotni 24 karat. I komunikueshëm, i fisëm, me pamje të qetë dhe tërheqëse, fliste shtruar dhe puna shprehej më shumë për të.

Lidhi jetën me Marjanën, vajzën e tregtarit edhe ky shumë i spikatur në Durrës Spiro Puteci.

Djali punon dhe jeton në Tiranë, ndërsa vajza është prej vitesh në Zvicër. Por Leka ruajti marrdhënie të shkëlqyera me durrsakët, marrdhënie të themeluara në breza nga të parët e tij. Fotoja “Boshnjaku” është nga më të lakuarat në Durrës dhe Leka punonte me shumë merak, për të pasuruar dhe çuar më përpara traditën e familjes.

-Do të ulemi dhe të bisedojmë një ditë, shoku i fëmijërisë, për arkivën e pasur që kam në studio. Babai ka lënë shumë pamje, që është historia e Durrësit dhe e njërëzve të tij. Por punë jo pak, kam bërë edhe vetë. Ti që merresh me shkrimet të duhen. Gjithashtu është edhe shërbim për qytetin.

Të tilla raporte kishte ndërtuar 70-të vjeçari Leka Boshnjaku, me Durrësin dhe bashkëqytetarët e tij dhe i përpiqej ti ruante me fanatizëm. Deri në fund mbeti i thjeshtë, me shumë pak fjalë, por tepër aktiv në pasurimin e memories fotografike të Durrësit.

Nuk mund të parashikoj, se si do të jetë vijimësia e Studio “Boshnjakut”, por jam i bindur në këtë që shpreh, se Durrësit i iku trashigimtar i rëndësishëm i fotografisë , pjesë e historisë aktive të djeshme dhe të sotme. Iku Leka Boshnjaku, i biri i artistit të aparatit të fotografisë Petraq Boshnjaku.

Lajmi është prekës. E rëndon gjendjen tonë shpirtërore dhe kjo për shumë arsyje. Por le të mbeten ngushëllim, puna e jashtëzakonshme e kryer nga Petraq Boshnjaku dhe i biri i tij Leka, duke na dhënë të gjallë në pamje historinë e Durrësit në etapa zhvillimore.

Shprehim keqardhjen e thellë për këtë humbje, që sigurisht dhëmb shumë.

Qendro i qetë, në paqen e përjetshme Leka Boshnjaku!