Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, nuk është më në rrezik për jetën, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.
Sulmuesi e qëlloi Ficon pesë herë. Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe 59-vjeçari, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.
“Jam tronditur. Fatmirësisht, me sa di, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se ai do t’i mbijetojë [atentatit]. Në këto momente ai më nuk është në rrezik për jetën”, tha zëvendëskryeministri sllovak dhe ministri i Mbjedisit, Tomas Taraba, për BBC.
Taraba tha se një plumb e goditi Ficon në stomak, ndërkaq plumbi i dytë në një kyç.
Paraprakisht, ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak, tha gjatë një konference për media se Fico kishte pësuar “politraumë serioze” nga të shtënat me armë zjarri.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, gjatë kohës kur po operohej Fico, kishte deklaruar se jeta e kryeministrit ishte në rrezik.
Ai po ashtu deklaroi se sipas hetimeve fillestare, atentati kishte “qartësisht motive politike”.
Të shtënat në Handlova, që sipas mediave lokale sllovake u kryen nga një burrë 71 vjeç, tronditën Sllovakinë dhe nxitën dënim ndërkombëtar.
Sllovakia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është përballur me pak raste të dhunës politike.