SPAK ka zbardhur disa atentate dhe ngjarje të rëndë kriminale që kanë ndodhur vitet e fundit, në megaoperacionin e zhvilluar në fundjavë, ku u goditën grupet kriminale të Ervis Martinajt, Durim Bamit, Arben Ndokës, Edison Reçit, etj. Sipas SPAK, i shumëkërkuari i drejtësisë nga Fushë-Kuqja, Ervis Martinaj, i zhdukur prej 8 gushtit 2022, ka qenë objektivi kryesor për t’u ekzekutuar i një aleance të lidhur midis dy grupeve armike me të.

Organi i akuzës sqaron se Durim Bami i njohur ndryshe si “i forti” i Niklës ka bashkuar forcat me klanin Duka të drejtuar nga vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, për të eliminuar ish-bosin e lojërave të fatit.

Grupi i Fushë-Krujës me në krye Durim Bamin, me ndihmën e klanit Duka dhe Fatmir Hysenit nga Vlora ka dashur të eliminojë përveç Martinajt edhe ish-deputetin e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka.

“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.”

Në krahun tjetër nuk ka qëndruar pa vepruar as Martinaj, i cili sipas SPAK kishte lidhur aleancë me grupin kriminal me bazë në Lezhë, që drejtohej nga Arben Ndoka dhe në bashkëpunim edhe me Avdylajt në Shijak synonin të ekzekutonin Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, pasi ai akuzohej për vrasjen e krahut të djathtë të ish-bosit të lojërave të fatit, Santiago Malko.

Për të realizuar këto atentate në ndihmë të Martinajt sipas akuzës i kanë ardhur në ndihmë edhe anëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi, i cili ndodhet pas hekurave.

“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami. etj. E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.”