India Veriore, duke përfshirë kryeqytetin Delhi është përfshirë nga një valë e madhe e të nxehtit me temperatura që shkojnë mbi 45 gradë Celsius gjatë fundjavës që lamë pas. Të dielën, rrethi Najafgarh në Delhi regjistroi temperaturën 47.8 gradë, më e larta për këtë sezon.
Departamenti Meteorologjik Indian (IMD) ka thënë se vendi ka të ngjarë të përjetojë valë të nxehta më të gjata dhe më intensive këtë vit. IMD ka parashikuar që temperaturat maksimale në Delhi dhe qytete të tjera veriore ka mundësi të lëvizin rreth 45-46 gradë Celsius gjatë të hënës dhe të martës. Gjithashtu ka parashikuar një periudhë të re të nxehtësisë në pjesë të Indisë perëndimore dhe qendrore gjatë ditëve të ardhshme.
Shumë shtete indiane, të zhytura nën valën e të nxehtit, po shkojnë gjithashtu në zgjedhje këtë javë. Të hënën, miliona votues do të votojnë në Maharashtra, Uttar Pradesh dhe Bihar, ndërsa Delhi do të votojë më 25 maj. Zgjedhjet po zhvillohen në shtatë faza nga 19 prilli deri më 1 qershor.
Shumë votues kanë shprehur siklet duke dalë jashtë në vapën ekstreme për të shkuar në qendrat e votimit. Ata thonë se është e vështirë të qëndrosh në radhë, sidomos për të moshuarit. Nga ana tjetër, autoritetet zgjedhore të Indisë kanë zgjatur oraret e votimit dhe u kanë kërkuar njerëzve që të marrin masa për t’u mbrojtur nga i nxehti kur të shkojnë për të votuar.