Shkolla “Neim Babameto” në Durrës do të jetë shkolla e dytë më e madhe e rindërtuar në vend, e cila, siç edhe u premtua, do të mirëpresë 1060 nxënësit e saj në nëntor. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit , Emiriana Sako ishin në kantierin e shkollës “Neim Babameto” që sot po rilind më e madhe e më e bukur. 

Shkolla e re do të ketë 28 klasa, 7 laboratorë, ambiente sportive si dhe bibliotekën, duke e bërë kështu një nga shkollat model në vend.

“Pas “Sami Frashërit” në Tiranë, kjo është shkolla më e madhe. Edhe si ndërtim është e dyta në metër katror dhe do jetë një nga shkollat me standardet më të larta, jo thjesht europiane, por praktikisht do jetë shembull”, – u shpreh ministri Ahmetaj. 

Punimet tanimë janë në një fazë të avancuar dhe shkolla, e projektuar nga arkitekti italian, Mario Cuccinella, këtë nëntor do të jetë gati për të pritur nxënësit e saj në ambientet e reja. 

Ndërkohë puna vazhdon edhe për shkollat e financuara nga donatorë të tjerë si PNUD-i dhe Bashkimit Europian. “Në fund të shtatorit do kemi gjithë partinë e parë të shkollave, që janë 22 objekte arsimore dhe kështu bëhemi gati për partinë e dytë që janë donacion i Komisionit Europian”, u shpreh ministri i Shtetit për Rindërtimin. 

“Me procedurat dhe me ritmin tonë, ne jemi duke shkuar drejt përfundimit dhe me ritmin e Bashkimit Europian, akoma jemi në vigjilje të fillimit të punës. Faktikisht, ne jemi le të themi 6 muaj përpara, që do të thotë që kemi punuar me një ritëm marramendës dhe po bëjmë maksimumin e mundshëm. Mirëkuptojmë edhe njerëzit që çdo ditë u duket një vit, për shkak se duan të kthehen në shtëpi”, tha Kryeministri Rama.​