Asnjëherë më parë, plazhi i Durrësit nuk ka qenë kaq i populluar në 10 ditëshin e parë të shtatorit. Po flasim për ditë jave, pasi gjatë fundjavës, një fluks i tillë është deri diku i pritshëm.

Moti i mirë me temperature të larta, por edhe fakti që në Kosovë u shty nisja e vitit të ri shkollor deri më datë 14 shtator, ka bërë që mijëra pushues të dynden në plazhin më të madh në vend.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur 15 ditëshi i parë i shtatorit ishte periudha më e përshtatshme për ata që nuk kishin pushuar gjatë verës apo që preferonin qetësinë që ofron plazhi në ditët e para të vjeshtës, këtë sezon, pandemia ka ndryshuar shumëçka.

Një popullim të tillë plazhi i Durrësit nuk e regjistroi as në muajin korrik, kur pushuesit ishin të paktë. Për operatorët turistikë, qytetarët që lëshojnë banesat me qira dhe bizneset në funksion të turizmit, këto ditë të shtatorit janë një “frymëmarrje” e shtuar, pas dy goditjeve të forta, tërmetit dhe pandemisë Covid-19.