Një grup i përbashkët pune me specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), pedagogë dhe studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (DATK) u angazhua për dy javë në një projekt vrojtimi arkeologjik intensiv.
Projekti kishte si synim evidentimin e siteve arkeologjike potenciale dhe dokumentim të pasurive të trashëgimisë kulturore në zonën kodrinore të Divjakës. Ky projekt u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit si dhe Universiteti i Tiranës, në kuadër të Paktit për Universitetin dhe me propozim të bashkisë së Divjakës.
Specialistët e IKTK u shoqëruan në këtë projekt vrojtimi dhe nga specialistët e Muzeut Historik të Lushnjës. Rezultatet e pasura të fushatës së terrenit do të pasohen nga një proces sistematik analize të gjetjeve dhe formulim të një strategjie konkrete për menaxhimin dhe promovimin e një pasurie që duket fare pak e njohur deri sot.