“Liderët perëndimorë, të cilët janë në rrugën e luftës, duan të mposhtin Rusinë ushtarakisht. Plani i tyre është i thjeshtë, sepse gjithçka ka të bëjë me paratë, të cilat u japin atyre ndikim dhe fuqi”.
Kështu ka thënë kryeministri hungarez Viktor Orban në një intervistë për agjencinë e lajmeve hungareze HirTv. Orban kujtoi periudhën e viteve 1990, kur “evropianët u mirëpritën në Rusi dhe arritën të depërtojnë në ekonominë ruse, pa hasur në rezistencë”.
Sipas kryeministrit, Perëndimi u përpoq të shfrytëzonte Rusinë gjatë asaj periudhe, por “rusët në fund i morën gjërat në duart e tyre dhe transformuan gjithçka sipas mendimit të tyre”.
Shumë aktorë perëndimorë janë nostalgjikë për këto kohë, duke ëndërruar për “një tjetër ristrukturim të madh në Lindje” dhe duke shpresuar se konflikti në Ukrainë do t’u ofrojë atyre mundësi në këtë drejtim, shpjegoi Orban, duke shtuar se disa “shitës armësh, kreditorë dhe lojëtarë në bursë” tashmë po përpiqen të përfitojnë nga konflikti.