Gjendja shëndetësore e ish-presidentit amerikan Joe Biden është përkeqësuar. Kanceri agresiv i prostatës, me të cilin ai u diagnostikua vitin e kaluar, është përhapur në pjesë të tjera të trupit, përfshirë kockat.
Lajmin e bëri të ditur djali i tij, Hunter Biden, gjatë një interviste për BBC. Ai tha se sëmundja është përhapur dhe se babai i tij po përballet me dhimbje të forta.
“Është përhapur në kocka dhe më tej. Është shumë e dhimbshme dhe, në shumë aspekte, dobësuese”, deklaroi Hunter Biden.
Joe Biden, 83 vjeç, u diagnostikua në maj të vitit 2025 me një formë agresive të kancerit të prostatës. Gjatë vitit të kaluar, ai iu nënshtrua edhe ndërhyrjes për heqjen e disa dëmtimeve kanceroze në lëkurë dhe kreu trajtim me rrezatim.
Edhe Jill Biden ka folur për gjendjen e bashkëshortit të saj. Ajo ka thënë se trajtimi i tij vazhdon dhe se sëmundja tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë së familjes.
Kanceri i prostatës prek kryesisht burrat në moshë të madhe dhe në shumë raste zhvillohet ngadalë. Kur sëmundja përhapet në pjesë të tjera të trupit, veçanërisht në kocka, trajtimi bëhet më i vështirë.
Biden ka pasur edhe më parë probleme serioze shëndetësore. Në vitin 1988, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për një aneurizëm në tru, e cila në atë kohë rrezikoi edhe karrierën e tij politike. Familja Biden është përballur edhe me një tjetër tragjedi të lidhur me kancerin. Djali i tij, Beau Biden, vdiq në vitin 2015, në moshën 46-vjeçare, nga glioblastoma, një formë agresive e kancerit të trurit.





