Krahu i ashpër konservator i Iranit kontrollonte çdo levë të pushtetit në këtë vend, gjatë presidencës së Ebrahim Raisit. Pavarësisht vdekjes së tij në një aksident me helikopter, muajin e kaluar, dominimin pritet ta ruajë po i njëjti krah.
Krahu i ashpër konservator dominon prej kohësh institucionet kryesore në Iran, anëtarët e të cilave emërohen drejtpërdrejt nga udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Në vitin 2020, ky krah mori kontrollin e Parlamentit, pas skualifikimit masiv të kandidatëve të moderuar dhe reformistë. Përvetësimi i pushtetit prej tij përfundoi në vitin 2021, kur Raisi u zgjodh president. Vëzhguesit thonë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale ka të ngjarë të jenë një luftë e drejtpërdrejtë midis dy linjave të ashpra: kryetarit të Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ish-kryenegociatorit për çështje bërthamore, Saeed Jalili, njëherësh përfaqësues i Khameneit në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare.
“Këto janë, edhe njëherë, zgjedhje shumë të projektuara”, thotë Azizi.
“Ajo që orkestruesit e zgjedhjeve duan të kenë, është një konkurrencë e menaxhuar mes besnikëve”, shton ai.
Kandidatë të tjerë për president nga krahu i ashpër konservator janë: kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani, deputeti Amir Hossein Qazizadeh Hashemi, dhe ish-ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë, Mostafa Purmohammadi. I vetmi reformist i miratuar si kandidat për president është ish-ministri i Shëndetësisë, Masud Pezeshkian, por, sipas vëzhguesve, ai përbën rrezik më të vogël për krahun e ashpër konservator.
Të moderuar dhe reformistë të shquar që u regjistruan për të kandiduar në zgjedhje, përfshirë ish-kryeparlamentarin Ali Larijani dhe ish-zëvendëspresidentin Eshaq Jahangiri, u skualifikuan.
Larijani dhe Jahangiri kishin “potencial – së paku në njëfarë mase – për të mobilizuar popullatën” dhe “për t’i shkaktuar dhimbje koke regjimit”, thotë Azizi. Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.
Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët. Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.
“Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./REL