Të paktën 12 persona kanë humbur jetën në një sulm masiv me armë zjarri në një zonë të Johannesburg-ut, në Afrikën e Jugut.

Sipas autoriteteve, edhe 9 persona të tjerë janë plagosur në këtë sulm që ndodhi të martën në mbrëmje në zonën Cleveland. Ndërkohë, policia ka nisur një operacion për kapjen e autorëve.

Në deklaratën zyrtare thuhet se më shumë se 10 persona të armatosur mbërritën me një automjet të bardhë tip Toyota Quantum pranë një pike karburanti në Cleveland.

Ata kanë hyrë në vendbanim nga dy hyrje të ndryshme dhe kanë lëvizur nëpër zonë duke qëlluar me armë ndaj banorëve dhe anëtarëve të komunitetit në disa vende të ndryshme, përpara se të largoheshin me të njëjtin automjet.

Afrika e Jugut ka një nga nivelet më të larta të vrasjeve në botë, me rreth 60 vrasje në ditë mesatarisht.

Policia lokale tha se efektivët kanë reaguar rreth orës 23:10 me kohën lokale pas njoftimit për të shtëna aktive në zonë. Në vendngjarje u dërguan edhe shërbimet emergjente për të ndihmuar të plagosurit.

Sipas të dhënave, tetë burra dhe tre gra u vranë në vend, ndërsa një tjetër person humbi jetën më vonë në spital nga plagët e marra.

Ndërkohë, të paktën nëntë persona të tjerë janë dërguar në spitale të ndryshme për trajtim mjekësor. Policia thekson se motivi i sulmit ende nuk dihet dhe po hetohet nga autoritetet.