Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë në qarkun Fier ku prezantoi strukturat e reja të shtuara në këtë drejtori vendore, si dhe bëri një paraqitje sintetike të shifrave të rendit dhe sigurisë duke nënvizuar përmirësimin e tyre.

Ai u shpreh gjithashtu për investimet e rëndësishme që janë bërë vitet e fundit për përmirësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës e mjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit. Lleshaj u shpreh se gjatë këtyre viteve është rritur me 17 % numri i punonjësve të organikën e policisë.

“Policia e Shtetit ka pësuar një rritje të dukshme që nga viti 2013 në numër, gjë që është edhe reflektuar në përmirësimin e shumë parametrave të sigurisë, ose të gjithë parametrave të sigurisë.

Është paraqitur këtu vetëm një shigjetë e kuqe në rënie, që kemi 47 % të vrasjeve më pak, pra është përgjysmuar numri i vrasjeve në Shqipëri që nga viti 2013. Ndërkohë që kemi shtuar 17 % numrin e Policisë. Pra, është kjo ajo që dua të theksoj, së pari.

Për sigurinë dua të investojmë më shumë. Siguria ka një ҫmim, të cilin ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të gatshëm për ta paguar. Për arsye se i gjithë ky ҫmim shkon në dobi të qytetarëve”, tha Lleshaj.

“Është rast shumë pozitiv, fakti që shtohen pesëqind ose mbi 500 vende në organikën e policisë, të cilat siҫ thashë janë të shpërndara në bazën e një skeme proporcionale në të gjitha drejtoritë vendore. Dhe në tërësi ne arrijmë tani në një shtesë prej 1700 vendesh të reja organike nga viti 2013, prej të cilave mbi 700 janë të këtyre dy viteve të fundit. Dhe ku kanë shkuar këto shtesa? Shembulli që japim sot për njësitë e posaçme operacionale në drejtoritë vendore është vetëm një.

Po krahas këtyre ne kemi ndërtuar edhe një numër të konsiderueshëm njësish të specializuara në nivel qendror, të cilat mbulojnë sektorë të veçantë ku kërkohet nivel i lartë specializimi.

Kemi krijuar Njësinë E, e cila është njësia e luftës kundër krimit ekonomik, që ka për mision të luftojë krimin ekonomik, financiar, pastrimin e parave dhe gjithçka kriminale që lidhet me paratë.

Pastaj kemi krijuar Njësinë K, e cila është njësia e kërkimit të personave, që i janë shmangur drejtësisë. Njësi shumë e specializuar, tashmë e anëtarësuar në rrjetin europian të njësive homologe me mision për të kërkuar, gjetur dhe kapur dhe vënë para drejtësisë, të gjithë ata persona, që i janë shmangur asaj në harkun e tre dekadave të fundit.

Për fat të keq nuk janë pak personat, që janë shmangur që deri diku kanë mbetur dhe të harruar nga drejtësia, por që tashmë janë nën shënjestrën e një skuadre shumë të specializuar, shumë të motivuar dhe të ndërlidhur në kuptimin ndërkombëtar, me qëllim që të gjithë ata që kanë ende një llogari ende të pa mbyllur me drejtësinë e këtij vendi ta shlyejnë atë.

Pastaj kemi krijuar njësinë I, është njësia e informacionit ose inteligjencë e policisë financiare, e cila mbulon nevojën e policisë për më shumë inteligjencë. Ne jemi të parimit që policia shqiptare si dhe policitë e tjera, duhet të jenë një polici që të të bazohet, udhëhiqen nga inteligjenca. Për këtë arsye një njësi e tillë e specializuar është vënë në shërbim të saj për t’i dhënë më shumë inteligjencë.

Ndërkohë që një njësi tjetër është Njësia C, e cila adreson luftën kundër krimit kompiuterik dhe kibernetik”, u shpreh ndër të tjera Lleshaj.