Shqipëria përballet këtë të hënë në mbrëmje me Spanjën. E konsideruar një ndeshje sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme për kombëtaren shqiptare, kjo e fundit do të luftojë për të marrë 3 pikë.

Pikërisht për këtë takim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se cilido qoftë rezultati, Kombëtarja jonë do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive.

“Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO 2024-ës”.

Në reagimin e tij, kreu qeverisë shprehet se askush nuk do ta kishte besuar që Shqipëria do ishte ende në lojë në ndeshjen e tretë të grupit, i konsideruar si “grupi i vdekjes”.

“Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”.