Pronarët e lokaleve të dasmave në Sukth të Durrësit janë ngritur në protestë ditën e sotme, pasi sipas tyre po trajtohen me diferencë. Kjo për shkak të moslejimit të organizimit të dasmave në bizneset e tyre si pasojë e Covid-19.
Ata kërkojnë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu që të hartohet një protokoll për mënyrën e organizimit të dasmave.
Përfaqësuesit e bizneseve të paralizuara në Sukth, thanë para mediave se policia ka marrë urdhra për të mos i lejuar të bëjnë dasma, ndërsa klientët e tyre i kanë bërë ato në lokale të tjera në Durrës, Kavajë, Shijak, Tiranë etj..
“Klientët tonë, dasmat shkojnë i bëjnë në Shijak, Durrës, Marikaj dhe në Tiranë ndërsa ne nuk punojmë.
I bëjmë thirrje kryeministrit, ministres së Shëndetësisë, të nxjerrë një protokoll, sado pak persona të lejohen, 100 persona, 70 persona a 80 persona, mjafton që ta na lejojnë të punojmë.
Kam 30 vjet jashtë shtetit hyzmetçar për të bërë atë lokal, kam hedhur të gjithë lekët dhe kur vjen fundi të mos punoj, është e padrejtë.”, tha një prej protestuesve.
Kujtojmë që Ministria e Shëndetësisë ka ndaluar ceremonitë martesore për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe gjatë kësaj periudhe janë ndëshkuar jo pak pronarë biznesesh me gjobë 1 milion lekë të reja, të cilët në kundërshtim me Aktin Normativ kanë lejuar organizimin e dasmave në subjektet e tyre.
Ndërsa për ata pronarë që kanë vijuar punën pavarësisht masës administrative, autoritetet kanë vendosur pezullim të aktivitetit deri në 6 muaj.
G.D.





