Java nis me shtim të rasteve të reja pozitive me Covid-19 në Durrës dhe fatkeqësisht me një fatalitet.

Ndryshe nga një ditë më parë, kur u regjistruar vetëm 4 raste (3 në Durrës dhe 1 në Shijak), të hënën, duke iu referuar statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, Durrësi shënon rritje të konsiderueshme.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 9 të infektuar të rinj me koronavirus, pra 3 herë më shumë nga ç’ishin një ditë më parë në qytetin bregdetar. Ndërkohë një 77-vjeçar nga Durrësi e ka humbur betejën me sëmundjen.  Vdekja e fundit e çon në 40 numrin total të fataliteteve në rang qarku, ndërkohë që rritje ka pësuar edhe numri i personave aktivë.

Nga 527 aktivë që ishin ditën e diel për të gjithë qarkun e Durrësit, të hënën numri i tyre ka shkuar në 530.

Fatmirësisht 75 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit në vend, por ndërkohë java e kaluar ka rezultuar java me numrin më të lartë mesatar të të prekurve, pasi sipas MSH-së, mesatarja javore e rasteve të reja ishte 153 raste/javë.