Përdorimi i photoshop-it në mënyrë të ekzagjeruar është bërë shqetësues për botën mbarë dhe në rrjet po serviren imazhe jo-reale që dëmtojnë rëndë psikologjinë e njerëzve!

Të shumtë janë personazhet VIP që nën presionin për të qenë “perfekt”, modifikojnë fotot e tyre dhe u paraqiten fansave si dikush që s’janë, njerëz pa asnjë defekt.

Deputeti Dr Luke Evans ka hartuar një ligj të ri që është ende në përpunim e sipër, i cili detyron personat e famshëm të tregojnë se cilat imazhe janë modifikuar në mënyrë dixhitale.

Dr Evans, një anëtar i Komitetit të Shëndetit dhe Kujdesit Social, tha që fotot e modifikuara në mediat sociale po ‘nxisnin një krizë të shëndetit mendor’. Ato po shqetësojnë kryesisht fëmijët, që po përballen me një realitet të rremë dhe po i nxisin të mendojnë e të sillen ndryshe në shoqëri.

Personazhe të njohur në Britani që janë akuzuar vazhdimisht për photoshop janë Lauren Gooder apo Khloe Kardashian, të cilat shpesh kanë shfaqur në rrjete sociale një imazh të deformuar të tyrin.

Fansat e kanë vënë re prej kohësh photoshop-in, por duket se VIP-at s’mund t’i ndalojë asgjë për të përdorur photoshop-in, veç ligjit të ri që mund të miratohet së shpejti, shkruan IconStyle.