Banorët që banojnë pranë lumit Lana do të përfitojnë banesa të reja.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga projekti i këtyre godinave ku do të shpërngulen familjet që preken nga ky projekt, por edhe ato për strehim social.

Rama tha se godinat do të ndërtohen për strehimin e banorëve që shpërngulen për kapitullin e ri të transformimit të Lanës në Tiranë, por edhe apartamenteve për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror.

Bashkia e Tiranës prezantoi dje projektin për rehabilitimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”, i cili shënon një kapitull të ri për transformimin e qytetit.

Projekti përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, të cilat do të shtrihen paralel me Lanën, dhe synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin rrugor dhe cilësinë e jetesës për qytetarët e Tiranës.

Nga ky investim, shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit, përfitojnë të gjithë qytetarët, ndërsa 317 familjet që preken (edhe ato pa dokumente pronësie) do të përfitojnë fillimisht bonus qiraje dhe më pas nga një banesë të re falas.