Sot kryetari i bashkisë së Shijakut ka pasur një takim me punëtorët e Ujësjellësit për shkak të problematikave që ka pasur qyteti i Shijakut me furnizimin me ujë të pijshëm ditët e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale Arbana shprehet:
“Shijaku ka pasur probleme me ujin e pijshëm. Për këtë pata një takim me punonjësit e ujësjellësit për t’i tërhequr vëmendjen për përkushtimin dhe kujdesin që duhet të kenë për t’i shërbyer sa më mirë banorëve të Shijakut.
Për këdo që abuzon me vendin e punës në dëm të qytetarëve do të përballet me pasojat. Ne jemi në shërbim të shijakasve dhe kemi përgjegjësinë e përditshme të punojmë dhe të bëjmë më të mirën, të shmangim problemet dhe të gjejmë menjëherë zgjidhjet.
Kurrë më parë Shijaku nuk ka pasur kaq shumë vëmendje dhe mbështetje nga Kryeministri dhe qeveria, por ne duhet ta justifikojmë me punë.
Në të gjitha dëgjesat publike që kemi organizuar, ankesat nga qytetarët për furnizimin me ujë përbëjnë një shqetësim kryesor.
Të gjithë duhet t’i përvishen punës ditë për ditë, për të mos u krijuar më situata të tilla të patolerueshme.
Qeveria do të na mbështesë me të gjitha mundësitë siç na ka mbështetur gjithmonë, por duhet që secili të bëjë detyrën e vet. Ku ka vullnet, ka zgjidhje,”- shkruan Arbana.





