Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) vendosi të mërkurën miratimin e regjistrimit të fondit të tretë të investimeve alternative.
Fondi i ri, Credins Optimal do të administrohet nga shoqëria administruese Credins Invest.
Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuar dy fonde të investimeve alternative, Sea Land Investment Fund dhe Green View Alternative Investment Fund. Të dyja fondet administrohen gjithashtu nga shoqëria Credins Invest. Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme.
Sipas të dhënave nga AMF, në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në pothuajse pesë miliard lekë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, pesha e tyre kundrejt aseteve totale të fondeve të investimit në vend ka ngelur në nivele të përafërta me vitin 2022, me rreth 10% të totalit të tregut.
Në fund të vitit 2023, fondi më i madh ishte Sea Land Investment Fund kishte aktive totale për afërsisht 3 miliard lekë, në rritje me 8.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa fondi tjetër, Green View Alternative Investment Fund, zotëronte aktive totale për më shumë se 1.9 miliard lekë, në rritje me 7.5% krahasuar me vitin 2022.
Këto fonde zotërojnë disa pasuri të paluajtshme pranë zonës ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Rritja e vlerës së pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve.
Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për fondet e investimeve alternative. Në këto fonde mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar.
Sipas ligjit, klientë profesionistë klasifikohen subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.
Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë.
Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
Fondet e investimeve alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.