Vënia e zjarrit kazanëve të mbeturinave që ndodhen ngjitur me murin rrethues të kishës katolike pranë tregut industrial të qytetit është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për drejtuesit e këtij institucioni fetar.

Dekani i kësaj kishe At Bernard Caruana ka dërguar në redaksinë e “DurrësLajm” videon e mëposhtme ku duken qartë flakët që rrezikojnë klasat e katekizmit dhe qendrën shumëfunksionale sportive, investim i Ambasadës Hungareze që ndodhen aty ngjitur. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve, ka evituar që flakët të përhapeshin edhe më tej dhe të rrezikonin jetën e shumë të rinjve e fëmijëve që mësojnë në këto klasa.

“Nuk mundemi më”,– thotë At Bernard Caruana.

At Bernardi tregon se i është drejtuar me një letër bashkisë së Durrësit, ku ka parashtruar shqetësimin e tij për shkak të fenomenit të përsëritur të vënies së zjarrit kazanëve të mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm.

Ai kërkon një zgjidhje të shpejtë nga autoritetet, pasi stina e verës favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve, të cilat mund të shkaktojnë dëme të shumta, nëse zjarri del jashtë kontrollit.

Letra e At Bernard Caruana:

E nderuar zonja Kryetare,

Deshiroj t’ju parashtroj nje shqetesim qe famullia e Shen Domenikut ka ne lidhje me kazanet e mbetjeve urbane. Keto kazane jane pergjate te gjithe rrethimit te territorit te kishes dhe shfrytezohen nga te gjitha bisneset dhe bar-restorantet e rrethines ,per te shkarkuar gjithe mbetjet organike (ushqime te mbetura, kocka, copa mishi etj) duke shkaktuar nje degradim total te ambjentit dhe te ajrit. shqetesimi eshte akoma me i madh, duke qene se keto konteniere jane shume afer me klasat e katekizmit ne te cilat mesojne shume te rinj e femije.

Nga ana logjistike, gjithashtu keto kazane ndodhen gjithashtu ngjitur me qendren shumefunksionale sportive, investim i Ambasades Hungareze, e cila eshte rrezikuar me shume se nje here te marre flake per shkak te zjarrevenies te ketyre kazaneve nga endacake. Ne lidhje me kete shqetesim do t’ju dergojme edhe pamje filmike.

Duke patur parasysh afrimin e stines se nxehte te veres, jemi ne pritje te zgjidhjes sa me pare se ketij problemi.

Me respekt,

Dekani i Kishes Katolike Durres

At Bernard Caruana