Qeveria parashikon të ndryshojë ligjin përmes të cilit organizohet Shërbimi i Jashtëm i Shqipërisë. Në dokument ndër të tjerat duket se parashikohet edhe një formë vetingu për diplomatët.
Me urdhër të ministrit do të krijohet në çdo Janar Komisioni i Karrierës, i cili propozon gradat por edhe masat disiplonore në rast të shkeljeve.
Më tej në nenin 43 saktësohet verfikimi i sigurisë dhe pastërtisë së figurës
“Personeli diplomatik, teknik dhe administrativ në Shërbimin e Jashtëm i nënshtrohet verifikimit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi dhe këtij ligji.
Procedura e verifikimit të pastërtisë së figurës përcaktohet në Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në dokumentin që do të kalojë fillimisht për votim në qeveri dhe më tej edhe në parlament.
Nga ana tjetër saktësohet se Konsujt e Shqipërisë do të emërohen nga kryeministri i vendit por me propozim të Ministrit të Jashtëm.
Sa i përket unifikimit të qëndrimeve, edhe kryetarët e bashkive do të duhet që për deklaratat në takimet me përfaqësuesit e huaj të konsultohen me Ministrin e Jashtëm.
“Drejtuesit e organeve të qeverisjes vendore ndërmarrin veprime, presin vizita në nivel ndërkombëtar, mbajnë qëndrime dhe bëjnë deklarata, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me jashtë, pasi të jenë konsultuar më parë me Ministrinë dhe të kenë marrë udhëzimet e saj”, thuhet në dokument. Drafti i ri përbëhet nga 62 nene, ndërsa do të shfuqizojë ligjin aktual.