Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Dukën.

Gjatë zhvillimit të seancës me dyer të mbyllura Leonard Duka i ekstraduar disa ditë më parë nga Belgjika nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim.

Kreu i klanit ‘Duka’, ra në pranga një vit më parë, në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit. Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Së bashku me gjashtë persona të tjerë, ata akuzohen si autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, ish polici Santiago Malko.

Gjithashtu, Duka në bashkëpunim me persona të tjerë, ka planifikuar vrasjen e Ervis Martinajt, ndaj të cilit Santiago Malko ishte krahu i djathtë dhe ka planifikuar vrasjen e Erigers Mihasit apo anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.