Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e parë pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të partisë, vendos për kryerjen e një analize të thellë që çoi në humbjen e 25 prillit.
PD tashmë e konsideron 25 prillit si “masakër zgjedhore” dhe për të do të kryejë një analizë, ku fillimisht brenda 1 korrikut paraqiten rezultatet për çdo seksion e grupseksion. Për këtë do të shërbejë një grup pune në çdo degë.
Më 10 korrik, ky raport do t’i dorëzohet Kryesisë së Partisë Demokratike, që më pas do të nisë punën me grupseksionet për ristrukturimin e organeve vendore të PD.
Vendimi i plotë:
MBI METODOLOGJINË E ANALIZËS NË NIVEL QARKU, DEGE, GRUPSEKSIONI DHE SEKSIONI PËR MASAKRËN ZGJEDHORE TË 25 PRILLIT 2021
Në mbështetje të nenit 53 të Statutit të PDSH-së, me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 18/06/2021,
VENDOSI:
Analiza e masakrës zgjedhore të 25 Prillit do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga çdo seksion e deri në nivel Qarku.
Drejtuesi Politik i Qarkut, ngarkon dhe bashkëpunon me Degët e Partisë që brenda datës 1 Korrik 2021, të paraqesin analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grupseksion, duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre. Për këtë qëllim, në çdo Degë të Partisë, ngrihet një grup pune, që ka në përbërje:
a) Kryetarin dhe Sekretarin e Degës;
b) Nënkryetarët e Degës;
c) Sekretarin Organizativ dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore.
Grupi i Punës dhe/ose Drejtuesi Politik i Qarkut, në funksion të realizimit me objektivitet të analizës në fazën e parë, mund të mbledhë çdo organ vendor të Partisë, që vlerësohet i nevojshëm për shqyrtimin dhe analizimin e të dhënave të përpunuara. Përpara dorëzimit të Raportit në nivel Dege, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës, dhe pasqyron në Raport çdo vlerësim apo konstatim të Kryesisë së Degës.
Brenda datës 5 Korrik 2021 Drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku, sipas Formatit Tip të miratuar me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, brenda 2 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Raporti i plotë i analizës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit i paraqitet për shqyrtim Kryesisë së Partisë brenda datës 10 Korrik 2021.
Në përfundim të fazës së parë të analizës, Sekretariati Organizativ i Partisë kryen fazën e dytë të analizës gjatë periudhës 11 Korrik – 31 Gusht 2021, në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, verifikon dhe analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, evidenton mangësitë dhe nevojat për të nxitur rritjen e performancës. Brenda datës 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë së Partisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës së ndërhyrjes sipas nenit 45 të Statutit dhe/ose nevojën objektive për zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi i analizës dhe, aty ku është rasti, i ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit Politik të Qarqeve dhe Degët e Partisë, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.





