Një person ka vdekur dhe tetë të tjerë kanë mbetur të bllokuar, pasi një hotel u shemb pjesërisht gjatë natës në Gjermani, tha policia.

Sipas autoriteteve, edhe disa persona janë lënduar pas shembjes së hotelit afër lumit Mozel në Gjermani.

Trupi i pajetë është lokalizuar, por nuk ka mundur të nxirret nga rrënojat, tha policia përmes një deklarate, duke shtuar se autoritetet kanë arritur të kontaktojnë me disa prej personave që kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

“Për shkak të natyrës së dëmit, ky është një operacion jashtëzakonisht i vështirë”, u tha në deklaratë. Policia shtoi se në ndërtesën në qytetin Kroev, që u shemb pjesërisht, kanë mundur të hyjnë vetëm ekipet emergjente.

Hetuesit besojnë se 14 persona ishin në ndërtesë kur kati i sipërm u shemb rreth orës 23:00 të së martës, pesë nga të cilit kanë arritur të ikin pa lëndime.

Policia gjermane tha se 31 persona që jetonin në ndërtesat në afërsi, janë evakuuar për shkaqe sigurie.

Ende nuk dihet shkaku i shembjes së pjesshme të këtij hoteli. Koev gjendet rreth 100 kilometra në perëndim të Frankfurtit./REL