Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq 11 persona në lidhje me trafikun e kokainës nga Amerika Latine, sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe pastrim të parave. Mes personave të dërguar në gjyq është edhe ish-zv/drejtori i Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani.
Në total të pandehurit janë: Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Adrian Cenaj (Dedja), Dedan Gjoni, Eralbi Breçani, Besmir Murtati, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Jonida Babameto dhe Erzen Breçani.
Kujtojmë se në lidhje me këtë hetim masa e sigurisë është ekzekutuar vetëm ndaj Erzen Breçanit, Dedan Gjonit, Bujar Ajetit dhe Besmir Murtatit.
Hetimet ndaj tyre janë kryer në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze, holandeze, belge, gjermane, braziliane dhe kolumbiane.
“Gjatë hetimit u bë e mundur dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal mjaft të rrezikshëm me të paktën 11 (njëmbëdhjetë) të akuzuar në këtë fazë të hetimit”, njoftoi SPAK.
Grupi i strukturuar kriminal, sipas prokurorisë së Posaçme karakterizohet nga një organizim i mirëkoordinuar dhe bashkëpunim i ngushtë mes anëtarëve të tij.
“Grupi është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Anëtarët shfrytëzojnë lidhjet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Amerikës Latine dhe Evropës, për të siguruar furnizimin dhe transportimin e narkotikëve. Gjithashtu, ata janë të angazhuar në pastrimin e parave të përftuara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve të dukshme legjitime, për të fshehur burimin e vërtetë të të ardhurave”, njoftoi SPAK.
Përveç trafikut të narkotikëve, ky grup shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal.
Grupi kriminal është i përfshirë po ashtu në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar individët e kërkuar nga ligji.
“Anëtarët shfrytëzonin aksesin në sistemet e të dhënave zyrtare për të mbledhur të dhëna dhe për të mbështetur veprimtarinë e grupit, duke përdorur teknologjinë dhe informacionin për të planifikuar, ekzekutuar dhe fshehur veprimet e tyre kriminale. Ky grup i strukturuar kriminal ka arritur të integrojë dhe investojë produktet e veprimtarisë kriminale në investime të rëndësishme si një shoqëri hidrocentrali, por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe në mjete financiare”, njoftoi SPAK.