Janë të shumta bizneset e profesioneve të lira në pritje të kthimit të shumave të parapaguara për tatimin 15%, teksa ende nuk është marrë një vendim për këtë nga institucionet edhe pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për profesionet e lira nga administrata tatimore, sipas kontabilistëve duhet të dërgohen njoftim vlerësimet me shumën zero lek.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë se kjo automatikisht reflekton në sistem tepricë kreditore për subjektet që kanë parapaguar dhe me tej bëhet kompensime për detyrimet e tjera, përveç sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Në të kundërt, subjektet duhet t’i drejtohen me kërkesë për kompensim Apelit Tatimor dhe më pas Gjykatës administrative.

Edhe për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është detyrim i administratës tatimore të kthejë menjëherë shumat e parapaguara pas vendimit të Kushtetueses.

Znj. Tabaku thotë se me qëllim moszvarritjen e procedurave të kthimit të shumave të parapaguara, grupi parlamentar i PD-së do të propozojë një Akt Normativ për zgjidhjen e kësaj situate.

Më herët, juristë të ndryshëm njohës të çështjes gjyqësore të padive për profesionet e lira, pohuan se shuma e parapaguar është një detyrim për t’u kthyer, me hyrjen në fuqi të vendimit të Kushtetueses.

Sipas tyre, ligji “Për procedurat tatimore” përcakton qartë proceduarat e kompensimit për rastet e shfaqjes së tepricës kreditore.

Kontabilistët: Administrata tatimore detyrim të dërgojë njoftim vlerësimet për tepricë kreditore

Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha për “Monitor” se teksa ndryshimet e bënë tatimin zero për profesionet e lira, nga administrata tatimore pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të bëhej menjëherë njoftim vlerësimi për kthimin e shumave të parapaguara.

“Që të kthehen shumat e parapaguara, në radhë të parë, duhet të nxirret njoftimi për këstin e ri me vlerë 0.

Për parapagimet dhe korrigjimet, sipas udhëzimit të përgjithshëm nr. 26, datë 8.9.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore duhet të dërgojë njoftimet e reja për këstet dhe tatim fitimin për 2024, për këtë kategori që përfiton nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Këto njoftime të reja hidhen në sistem të tatimeve. Automatikisht atyre që kanë paguar ju rezulton me mbipagim, pra me tepricë kreditore.

Dhe sipas ligjit maksimalisht brenda 30 ditëve duhet t’u kthehet shuma e parapaguar”, thotë ai.

Po çfarë janë njoftimet e reja të rivlerësimit? Kontabilisti Dhamo shpjegon se ky është detyrim i Tatimeve për t’i dërguar, duke qenë se njoftim vlerësimet e kësteve të tatim fitimit janë dërguar për t’u parapaguar për muajt e parë 2024.

Tani ndryshoi tatim fitimi dhe bëhet 0, Administrata Tatimore, duhet të ridërgojë njoftim vlerësimet e kësteve me shumën 0 lekë.

Sipas tij dërgimit të njoftim vlerësimeve për tepricë kreditore, tatimet bëjnë menjëherë vetë kompensimin me detyrimet për tatimet, përveç sigurimeve që mund të ketë subjekti.

Në të kundërt me kërkesë të subjektit, shumta e parapaguara duhet maksimumi të kthehen brenda 30 ditëve.

Z. Dhamo thotë se nuk kthehen shumat e parapaguara,tatimpaguesit do të duhet fillimisht t’u drejtohen Apelimit Tatimor pastaj Gjykatës Administrative.

Çfarë parashikon udhëzimi i përgjithshëm nr. 26, datë 8.9.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” për parapagimet dhe korrigjimet ?

  1. Parapagimet

63.1  Llogaritja e kësteve të parapagimit gjatë vitit tatimor për tatimin mbi fitimin korporativ Tatimpaguesi subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ, gjatë vitit tatimor, parapaguan këstet mujore/tremujore të tatimit mbi fitimin:

– brenda datës 31 mars, për muajt janar, shkurt, mars;

– brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj, qershor;

– brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht, shtator; dhe

– brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.

Bazuar në të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës, të dorëzuar nga tatimpaguesi, deklaratë që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit vijues, administrata tatimore llogarit këstet mujore dhe ato tremujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ për periudhën prill–dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar–mars të vitit të ardhshëm.

Këstet e parapagimeve i njoftohen tatimpaguesit në rrugë elektronike në llogarinë e tij brenda datës 10 prill të vitit vijues. Këstet e llogaritura të parapagimeve paguhen nga tatimpaguesi në fund të çdo 3-mujori, por mund të paguhen edhe në bazë mujore, brenda datës 15 të çdo muaji. Kur këstet e parapagimeve paguhen në bazë tremujore, kësti i çdo tremujori llogaritet si shumë e kësteve të çdo muaji të tremujorit përkatës.

63.3 Korrigjimi në ulje i kësteve mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin korporativ.

Tatimpaguesi, në çdo muaj gjatë periudhës tatimore mund të kërkojë dhe të provojë para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse.

Në këto raste organi tatimor, bazuar në argumentet, dokumentacionin dhe të evidencat e tatimpaguesit, zvogëlojnë shumat e llogaritura të parapagimeve.

Argumentet që mund të parashtrojë tatimpaguesi për të kërkuar reduktimin/heqjen e kësteve të llogaritura të parapagimit janë:

– Kur shitjet e deklaruara në 3 muajt e fundit, para kërkesës për reduktim të kësteve janë ulur me mbi 20% krahasuar me shitjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve bëhet në proporcion me reduktimin e shitjeve të mallrave dhe të shërbimeve.

– Kur blerjet e deklaruara në 3-mujorin e fundit, janë ulur me mbi 30% krahasuar me blerjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve për parapagimet bëhet në proporcion me reduktimin e blerjeve të mallrave dhe të shërbimeve.

– Kur ka mungesa në vijim të kontratave të shitjes së mallrave apo të shërbimeve, kontratave të punimeve etj., të cilat do ta reduktojnë në mënyrë domethënëse veprimtarinë dhe të ardhurat e tatimpaguesit për muajt e mbetur të vitit vijues, për të cilin kërkohet reduktimi i kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin.

– Kur përfundojnë kontrata mbi bazën e të cilave janë realizuar të ardhurat në vitet e mëparshme, kanë përfunduar objektet apo punët e tjera publike të kontraktuara.

– Kur kanë ndodhur fatkeqësi apo dëme në veprimtarinë e tatimpaguesit gjatë vitit vijues dhe që do të çojnë në reduktimin e ndjeshëm të veprimtarisë ekonomike.

– Kur mbyllen linja, veprimtari të caktuara, shkurtohet ndjeshëm forca e punës etj., si rezultat i tkurrjes së veprimtarisë. Në rastet kur kanë ndryshuar kushtet mbi bazën e të cilave këstet e parapagesave janë reduktuar, administrata tatimore i rishikon ato në rritje.

Tabaku: Vendimi i Gjykatës është detyrues. Do të propozojmë Akt Normativ për kthimin e shumave të parapaguara

Rreth 10 mln euro është detyrimi i parapaguar padrejtësisht nga profesionet e lira sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shumë që sipas saj është detyrim i administratës tatimore tua kthejë bizneseve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Znj. Tabaku tha për “Monitor” se me qëllim moszvarritjen e procedurave të kthimit të shumave të parapaguara, grupi parlamentar i PD-së do të propozojë një Akt Normativ për zgjidhjen e kësaj situate.

“Ligji do të duhet medoemos të reflektojë ndryshimin, që ishte i vendosur te neni i dispozitave kalimtare.

Dhe ndryshimi do të duhet bërë menjëherë. Po aty të shprehet, që pagesat e bëra të trajtohen sipas nenit të Detyrimeve Paguar Tepër te ligji “Për procedurat tatimore”.

Po u kërkua edhe kthimi i detyrimeve të parapaguara, me ligj, kjo gjë më pas nuk mund të shmanget nga institucionet.

Nuk e di, a ka predispozicion Ministri ta zgjidhë me një Urdhër të tijin. Mos e vonon ose e fut në qorrsokak në procedurën. Është një situatë e paprecedente.

Ligji i ndryshuar vulos gjithçka. Ndërkohë po shohim edhe Kodin e Procedurave Administrative”, pohoi ajo./ Monitor