Shtetet e Bashkuara thanë se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konference për media përsëriti se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimet e fundit të Kosovës, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për autoritetet në Kosovë pas mbylljes së disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit disa ditë më parë.
“Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova të krijojë. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e tyre të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multientike, por për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Miller më 7 gusht.
Miller tha prandaj e inkurajojnë Qeverinë e Kosovës që të kthehet “në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv” me ta, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i DASH-it tha se këto qëndrime ia kanë shprehur edhe privatisht Qeverisë së Kosovës, teksa theksoi po ashtu se nuk dëshiron që spekulojë për veprimet në të ardhmen.
Më 5 gusht, autoritetet në Kosovë mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – vendim që u kritikua nga SHBA-ja dhe BE-ja. Vendimi është kritikuar edhe nga autoritetet në Serbi.
Por, autoritetet në Kosovë kanë thënë se objektet e mbyllura nuk kishin licencë për punë.
Ambasada amerikane në Prishtinë reagojë po atë ditë, duke thënë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës “përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.
SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që t’i japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
SHBA-ja, por edhe BE-ja dhe shtetet po ashtu po kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër, që Qeveria e Kosovës po synon që ta hapë për trafik.
Disa serbë protestuan të mërkurën në Mitrovicë të Veriut për të kundërshtuar hapjen e urës mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut, të banuar me shqiptarë, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve./REL