Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj tha se dorëheqja e shefit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara ndërsa vendi përballet me zjarret, nuk është thjesht një dorëheqje, por një akuzë e rëndë ndaj shtetit. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë revoltën e tyre deri në largimin qeverisë së Edi Ramës.
“Dorëheqja e Arben Carës është një akuzë e rëndë ndaj shtetit, jo vetëm dorëheqje. Kur zjarrfikësit heronj përballen me flakët pa pajisjet elementare ndërsa fondet publike keqpërdoren, problemi është mungesë e shtetit dhe e përgjegjësisë. Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë pas zjarreve, por përgjegjësi, hetim e ndëshkim për çdo abuzim të fondeve publike. Parku Kombëtar i Lurës, pyjet e Mallakastrës, Kruja e historisë sonë dhe anembanë trojet digjen ndërsa kryeministri krihet sepse ka vjedhur miliarda të shqiptarëve. Taksat tona nuk shfrytëzohen si taksat e të gjithë qytetarëve evropianë. Ato mblidhen dhe kur Shqipëria digjet, kryehajduti krihet. Duhet të vazhdojmë. E kemi çjerrë maskën e pafytyrësisë të sociopatit. Është koha të rrëzojmë këtë qeveri kriminale!”, tha ai.





