Shqipëria është një ndër vendet me nivelet më të larta në botë të emigracionit të trurit, por të dhënat tregojnë se ekspertët dhe personat e arsimuar që kanë ikur nga Shqipëria nuk punojnë në profesionin e tyre, duke i ulur shanset që ata të transferojnë njohuritë e tyre për zhvillimin e vendit tonë.
Sipas kalkulimeve të Bankës Botërore (grafiku i mëposhtëm) vetëm 28% e emigrantëve të arsimuar punojnë në pozicione që kërkojnë aftësi dhe janë afër profesionit të tyre, një nga nivelet më të ulëta në rang global.
Studimet dhe anketat vendase kanë treguar se mbi 60% e stafeve akademike kanë emigruar gjatë tre dekadave të fundit. Ikja e trurit ka varfëruar vendin nga ekspertët dhe ka ulur shanset për t’u integruar në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës.
Disa vende kanë shanse që të përfitojnë nga diaspora e arsimuar. Përllogaritjet e BB tregojnë se shumica e vendeve kanë mbi 50% të diasporës së tyre që ushtron profesionin në vendet pritëse.
Përllogaritjet e ekspertëve të INSTAT kanë treguar se Shqipëria, deri në vitin 2020, kishte përqindjen më të lartë në rajon të emigrimit të njerëzve të arsimuar dhe studentëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas publikimit të INSTAT, “Diaspora e Shqipërisë në Shifra”, numri total i popullatës së larguar nga Shqipëria në vitin 2020 ishte 1.684.135 individë. Gjithashtu, INSTAT dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) kanë kryer një anketë të migracionit në familje.
Në këtë anketë u mblodhën të dhënat për nivelin arsimor dhe statusin e punësimit, në grupin e personave 15 vjeç e sipër, ku rezultoi se mbi 350 mijë persona ishin larguar gjatë viteve 2011-2019. Të dhënat nga anketa kanë treguar se 47% personave me arsim të lartë kanë emigruar.
Shqipëria renditet e para edhe për numrin e studentëve që ndjekin arsimin jashtë vendit, me përkatësisht 18,181 studentë, e ndjekur nga Serbia me 15,749 studentë, pastaj Bosnja me 15,399.
Ekspertët pohojnë se, nga njëra anë, numri i lartë i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë mund të shikohet si dukuri pozitive për pjesën e përvetësimit të njohurive në fushat përkatëse ku ata studiojnë, por nga ana tjetër, mund të shihet dhe si një indikator matës për mungesën e besimit të studenteve për cilësinë e universiteteve shqiptare.
Për të zbutur efektin negativ të këtij fenomeni, kryesisht në vendet në zhvillim, metoda më e rëndësishme është të ndërmerren një sërë politikash që përfshijnë aspekte të rëndësishme të zhvillimit të një vendi, si ai ekonomik, social, arsimor dhe mjedisor.
E para dhe më e rëndësishmja, duhet të pranojmë që emigracioni i vazhdueshëm është zakonisht simptoma, jo shkaku, i një problemi themelor.
Për një periudhë afatgjatë, qeveritë duhet të adresojnë çështje themelore me politikat që synojnë përmirësimin e qeverisjes, forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.
Rritja e produktivitetit në profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë, shumë prej të cilave janë në sektorin publik, dhe bërë pagat më konkurruese, do të “joshte” punëtorët të qëndronin.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi i sektorit privat dhe krijimi i vendeve të punës duhet të plotësohen me reformat e sektorit publik, pa të cilat, profesionistë të kualifikuar do të vazhdojnë të emigrojnë.
Ekzistojnë edhe politika që mund të inkurajojnë me sukses kthimin e diasporës së tyre me aftësi të larta profesionale, duke siguruar stimuj tatimorë për emigrantët e kthyer.
Kthimi i emigrantëve mund të mbështesë zhvillimin ekonomik, veçanërisht kur ata sjellin kapital dhe njohuri, dhe kur vendet e tyre u japin atyre kushtet e duhura për të vënë në zbatim plotësisht aftësitë dhe përvojën e tyre, sugjerojnë ekspertët. /Monitor