Kallëzimet e disa grave në polici kanë zbuluar një përndjekës online. Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë thotë se ka zbardhur dhe dokumentuar 62 raste të përndjekjeve online, të kryera të gjitha nga 34-vjeçari me iniciale F.D. Aktualisht i riu ndodhet në burg në Francë.
“Pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që pulsonin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet Franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi F. D., dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale”, njoftoi policia.
I riu ndërhynte në profilet e rrjeteve sociale të femrave të ndryshme dhe merrte foto nga profilet e tyre. Më pas krijonte profile false dhe i publikonte ato aty duke vendosur përshkrime denigruese.
Autori i shantazhonte ato duke kërkuar foto dhe video intime në kërkim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij.