Policia identifikuar tre shtetasit gjeorgjianë, të cilët përmes mashtrimit i morën pronarit të një pike karburanti në Shkodër një shumë prej 140.000 euro.

Raportohet se autori kryesor i vjedhjes, 40-vjeçari Kakha Joua, është kapur në aeroportin e Stambollit nga policia Turke dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet me vete një shumë prej 7500 euro.

40-vjeçari mësohet se po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll me destinacion kryeqytetin e Gjeorgjisë dhe është deportuar në Rinas mesditën e sotme.

Ndërkohë është bërë i mundur edhe lokalizimi i dy autorëve të tjerë me iniciale G. T., 45 vjeç dhe B. T., 36 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim dhe po punohet me homologët për kapjen e tyre.

Tre gjeorgjianët dyshohet se më 9 Gusht 2024, rreth orës 18:00, në sheshin Zdrale, Shkodër, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor, shtetasit me iniciale E. I., shumën prej 140 000 euro dhe më pas janë larguar menjëherë nga Shqipëria.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Turke i koduar “TRACKING”.

Operacioni për kapjen e autorit kryesor të vjedhjes me anë të mashtrimit të një shume të madhe eurosh në një pikë të këmbimit valutor në Shkodër.

Mashtruan pronarin e një pike të këmbimit valutor, duke i marrë 140 000 euro, falë punës profesionale të strukturave për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, u identifikuan tre autorët e dyshuar, shtetas gjeorgjianë.

Në vijim të veprimeve të thelluara, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, bëri të mundur zbulimin e itinerarit të autorit kryesor të dyshuar për këtë ngjarje, i cili po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll me destinacion kryeqytetin e Gjeorgjisë.

Informacionin e siguruar për vendndodhjen e autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, nëpërmjet Interpol Tiranës e ka shkëmbyer në kohë reale me Interpol Ankaranë.

Në kuadër të operacionit policor “TRACKING”, policia turke, bazuar në informacionin e marrë nga Policia Shqiptare e cila kishte ndjekur lëvizjet e autorit të dyshuar, bëri të mundur kapjen e shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili është deportuar në Rinas mesditën e sotme. Në momentin e kapjes në aeroportin e Stambollit, Policia Turke, gjatë kontrollit fizik, i gjeti me vete një shumë prej 7500 euro.

Po në vijim të hetimeve të thelluara nga Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, në bashkëpunim me DVP Shkodër, është bërë i mundur edhe lokalizimi i dy autorëve të tjerë, dhe bashkëpunohet ngushtësisht me homologët për kapjen e tyre.

Më datë 09.08.2024, rreth orës 18:00, në sheshin Zdrale, Shkodër, këta shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor, shtetasit E. I., shumën prej 140 000 euro dhe më pas janë larguar menjëherë nga Shqipëria.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 3 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke i marrë një shumë parash në euro, u bë i mundur identifikimi i 3 autorëve të dyshuar.

Në vijim të veprimeve, janë shpallur në kërkim edhe dy autorët e tjerë të dyshuar, shtetasit gjeorgjianë G. T., 45 vjeç dhe B. T., 36 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Policia e Shtetit falënderon Policinë turke për reagimin në kohë dhe bashkëpunimin profesional që çoi në finalizimin e operacionit policor “TRACKING”.