Përfaqësues të ministrisë së Turizmit dhe asaj të Mbrojtjes, përfaqësues të administratës së zonave të mbrojtura si dhe një grup të rinjsh kanë marrë pjesë në pastrimin e territorit të ishullit të Sazanit.

I pranishëm ishte dhe ministri Blendi Klosi ku deklaroi se licencimi i turizmit detar është zgjidhja e problematikës.

Hapja e kufijve, ka vijuar Ministri do të rikthejë edhe në këtë zonë turistët ndërsa nga ndarja e stacioneve të plazheve pushteti lokal do gjenerojë të ardhura, çka duhet edhe t’i përdorë për problemin e mjedisit.

Klosi u ndal dhe tek ai që e quajti shqetësim për sezonin.

Licencimi i turizmit detar dhe ligji fleksibël është në favor të operatorëve, ndërsa duhen shmangur sipas tij momentet e vështira që krijohen nga mos rakordimi i institucioneve për kontrollin ndaj operatorëve.

Pikërisht licencimi është zgjidhja e problematikës, ka shtuar Klosi duke theksuar se pastrimi është dhe duhet të jetë kryefjala e sezonit.

Gjithashtu ai tha se “sot ne do të donim të ishte një ditë e bukur promovimi për këtë destinacion të mrekullueshëm të turizmit shqiptar. Natyrisht kujdes për të gjithë ata që kanë detyrimet dhe institucionet e pushtetit lokal dhe kompanitë e ndryshme në këtë fushë për të mbajtur më pastër mjedisin”.

Sipas tij, do të jetë një aksion interesant për të lënë një destinacion të pastër, që duhet të mirëmbahet nga pushtetit lokal.