Turqia nuk do të heqë dorë nga furnizimi me sistemin mbrojtës raketor rus, ka thënë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftuan mediat shtetërore.
Ai tha se këtë ia ka konfirmuar edhe presidentit amerikan, Joe Biden gjatë takimit të tyre më 14 qershor në Bruksel.
“I thash Biden-it se ata nuk duhet të presin ndonjë qëndrim tjetër të Turqisë në lidhje me F-35 (aeroplanët amerikanë) dhe sistemin S-400 (sistemi rus). Ne bëmë atë që duhej, paguam paratë e nevojshme për F-35”, u tha Erdogan gazetarëve gjatë një fluturimi nga Azerbajxhani.
Blerja e sistemit rus nga ana e Ankarasë ka tensionuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s, pasi ata kanë shqetësime se armatimi rus nuk është në përputhje me sistemin e aleancës dhe mund të kërcënojnë avionët luftarakë F-35 të SHBA-së.
Vitin e kaluar, Uashingtoni e pezulloi Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë të fshehtë F-35. Ankaraja ka hedhur poshtë shqetësimet.
Të hënën, Biden dhe Erdogan u dukën optimistë pas takimit të tyre ballë për ballë, megjithëse aleatët e NATO-s nuk njoftuan ndonjë përparim të madh në mosmarrëveshjet, duke përfshirë S-400, Sirinë dhe çështje të tjera. /REL





