Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të kombinatit metalurgjik, Trepça, që gjendet në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se kjo shumë është ndarë për të tejkaluar krizën aktuale, pasi “ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga prodhimi”. Që nga fillimi i muajit korrik, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje e kanë ndërprerë punën, për shkak se nuk u janë paguar pagat për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.
“Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë të mërkurën. Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre është 740 euro.

Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, e konsideron të mjaftueshme si fillim ndarjen e këtyre mjeteve për ta tejkaluar krizën dhe për rifillimin e punës. Kjo sindikatë ka paralajmëruar protestë për 14 gusht. Ibrahim Januzi, kryetar i kësaj sindikate, pas vendimit të Qeverisë, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk ka biseduar me Këshillin Protestues për protestën e paralajmëruar, porse “më nuk ka arsye për protestë”. Menaxhmenti i Trepçës, më 31 korrik, mosekzekutimin e pagave e ka arsyetuar në mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.

Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar. Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës. Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes. Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.