Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit. Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD). Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte. Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre. Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare./Rel/