Policia e Kosovës ka bastisur sot  hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit duke gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh për të cilën  dyshohet që ka qenë aty që nga rasti i sulmit në këtë fshat ndaj Policisë së Kosovës një vit më parë.

“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetë 2 jelek antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, ka thënë këtë premte zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për mediat në Kosovë.

Nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka gjetur armatim në Banjskë që nga sulmi i shtatorit, 2023.

Kompleksi “Rajska Banja” u mor në administrim nga shteti në fund të vitit të shkuar. Ai ishte funksional deri në marrjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriç, tani ministër i Jashtëm i Serbisë. E, bazuar në fotot që ka publikuar faqja, aty kanë qëndruar edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e zyrtarë të Listës Serbe.

AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”. Në këtë kompleks ishte sekuestruar edhe ushqim, informon Koha.net.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur patën sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që besohet se është në Serbi.