Këshilli Bashkiak i Durrësit është mbledhur mesditën e kësaj të hëne në sallën e “Odeonit” të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” për të shqyrtuar dhe miratuar 18 pikat e rendit të ditës.
Duke u ndaluar te situata e rënduar në qytet për shkak të mbetjeve të patërhequra prej ditësh, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako tha se institucioni që ajo drejton i ka bërë të gjitha hapat e nevojshme nëpërmjet Këshillit Bashkiak me miratimin e skenarit të dytë pak javë më parë.
Më tej, Sako është shprehur se bashkia është në pritje të vendimeve të mëtejshme që do të marrë qeveria lidhur me depozitimin e mbetjeve të Durrësit, pasi landfilli i Sharrës ka bllokuar shkarkimin e tyre.
“Deri në gjetjen e zgjidhjes nga qeveria, ne do të punojmë për evadimin e mbetjeve në të gjitha landfillet e miratuara”, ka thënë Sako.





