Policia ka parandaluar një vrasje në Kurbin, ndërsa ka arrestuar një 53-vjeçar i cili dyshohet se do të vriste kushëririn e tij.
Policia finalizoi operacionin e koduar “Cousin,” nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, duke vënë në pranga shtetasin Luan Farruku.
Policia njoftoi se 53-vjeçari qarkullonte me motomjet pa targa, i armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në kërkim të kushëririt të tij, të cilin e kishte kërcënuar për vrasje, ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi ngjarjen e rëndë dhe vuri në pranga autorin.
“Gjatë operacionit, u sekuestruan një pistoletë, një thikë, motomjeti pa targa dhe municionet që posedonte 53-vjeçari”, njoftoi policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas kallëzimit të administruar nga shtetasi M. F., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin, se për shkak të një konflikti kushëriri i tij, shtetasi L. F., 53 vjeç, e kishte kanosur për jetën me armë zjarri dhe për këtë fakt kishte frikë të shkonte në banesë, organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes, kapjen dhe vënien në pranga të autorit.
Falë veprimeve të shpejta profesionale, bazuar në inteligjencën policore dhe kontrollin e territorit në kuadër të operacionit “Cousin”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bënë të mundur lokalizimin e autorit të dyshuar, shtetasin L. M., 53 vjeç, në rrugën e fshatit pranë banesës së shtetasit M. F.
Shërbimet e Policisë ndërhynë me profesionalizëm duke neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë 53-vjeçarin, i cili po lëvizte me një motomjet pa targa, i armatosur me një pistoletë me fishek dhe një thikë, duke kërkuar kushëririn e tij, 50-vjeçarin M. F., me qëllimin për ta vrarë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja.”