Biznesmeni 59-vjeçar, Kujtim Ferracaku është një nga personat që mbeti i vrarë gjatë konfliktit me armë pas mesnate në Velipojë. Ferracaku ishte pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë, ndërsa i plagosur ka mbetur dhe vëllai i tij Hasani.

Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i cili u ekzekutua më 1 shtator 2018, teksa po kalëronte i shoqëruar nga miqtë e tij. Babai i dy fëmijëve të mitur u qëllua nga një person, i cili i zuri pritë dhe sipas hetuesve, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metra.

Arjan Ferracaku dhe personat e tjerë ishin mbi kuaj duke bërë hipizëm dhe parapërgatitje për kampionatin me kuaj, që ishte parashikuar me 15 shtator në plazhin e Velipojës.

Ndërkohë 4 persona ndërruan jetë  dhe dy të tjerë u plagosën, pas një konflikti me armë gjatë orëve të mesnatës në plazhin e Velipojës.

I plagosur ka mbetur dhe Hasan Ferracaku, vëllai i Kujtimit dhe xhaxhai i Arjanit, që sipas policisë së bashku me Elmilind Dylin, 17 vjeç, gjithashtu i plagosur dyshohen si autorë të përfshirë në konfliktin e armatosur.

Shkak për sherrin u bë vendosja e shezlongëve në hapësirat e dy hoteleve që janë të vendosur 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.