Rasti i denoncuar ditë më parë nga dekani i Kishës Katolike pranë redaksisë së “DurrësLajm” është përsëritur sërish mesnatën e së shtunës.
Kazanëve të mbeturinave që ndodhen ngjitur me murin rrethues të kishës katolike pranë tregut industrial të qytetit u është vënë zjarri, ndërsa flakët kanë vazhduar për minuta të tëra.
Dekani i kësaj kishe At Bernard Caruana dërgoi mbrëmë në redaksinë e “DurrësLajm” videon e mëposhtme ku duken qartë flakët që rrezikojnë edhe klasat e katekizmit dhe qendrën shumëfunksionale sportive, investim i Ambasadës Hungareze që ndodhen aty ngjitur.
Situata është mjaft kritike, pasi ajri mbytës që lëshohet nga djegia e mbeturinave në qiell të hapur rrezikon shëndetin e banorëve të asaj zone. Ditët e fundit, për shkak të bllokimit të depozitimit të mbeturinave urbane nga landfilli i Sharrës, vënia e zjarrit kazanëve është një fenomen që po ndeshet gjithnjë e më shpesh në Durrës.
“Nuk mundemi më”,- deklaronte At Bernard Caruana, ditë më parë, ndërsa mesnatën e së shtunës ai shpreh zhgënjim për situatën e krijuar: “Nuk e di si do të përfundojë”.
Në muajin mars të këtij viti At Bernardi iu drejtua me një letër bashkisë së Durrësit, ku ka parashtruar shqetësimin e tij për shkak të fenomenit të përsëritur të vënies së zjarrit kazanëve të mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm.
Letra e At Bernard Caruana:
E nderuar zonja Kryetare,
Deshiroj t’ju parashtroj nje shqetesim qe famullia e Shen Domenikut ka ne lidhje me kazanet e mbetjeve urbane. Keto kazane jane pergjate te gjithe rrethimit te territorit te kishes dhe shfrytezohen nga te gjitha bisneset dhe bar-restorantet e rrethines ,per te shkarkuar gjithe mbetjet organike (ushqime te mbetura, kocka, copa mishi etj) duke shkaktuar nje degradim total te ambjentit dhe te ajrit. shqetesimi eshte akoma me i madh, duke qene se keto konteniere jane shume afer me klasat e katekizmit ne te cilat mesojne shume te rinj e femije.
Nga ana logjistike, gjithashtu keto kazane ndodhen gjithashtu ngjitur me qendren shumefunksionale sportive, investim i Ambasades Hungareze, e cila eshte rrezikuar me shume se nje here te marre flake per shkak te zjarrevenies te ketyre kazaneve nga endacake. Ne lidhje me kete shqetesim do t’ju dergojme edhe pamje filmike.
Duke patur parasysh afrimin e stines se nxehte te veres, jemi ne pritje te zgjidhjes sa me pare se ketij problemi.
Me respekt,
Dekani i Kishes Katolike Durres
At Bernard Caruana





