Drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj ka dhënë një deklaratë për mediat pas krimit të rëndë që tronditi qytetin verior gjatë natës.
Sipas Brahimajt ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi viktimat dhe të plagosurit janë pronar hotelesh dhe u konflikuan për zonën që do të shfrytëzonin në plazhin e Velipojës, për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongeve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. Policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë.”





