Shkëputja e telave elektrikë si pasojë e furtunës që goditi zonën është bërë shkak për zjarrin që ra në një punishte të përpunimit të drurit në aksin Lushnje-Rrogozhinë. Diçka e tillë është konfirmuar nga policia, pas hetimeve për ngjarjen.

Flakët që morën përmasa të mëdha ranë në zonën e quajtur “Qafa e Sokolit”, ndërsa biznesi është ndërtuar poshtë telave të përcjelljes së energjisë elektrike. Zjarri u përhap me shpejtësi, ndihmuar edhe nga era e fortë, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.

Shuarja e flakëve ishte e vështirë për shkak të pranisë së lëndës drusore, ndërsa në aksion u përfshinë 5 mjete zjarrfikëse jo vetëm nga Fieri, por edhe nga Berati. Zjarri rrezikoi edhe banesa që ndodhen shumë pranë punishtes, ndërsa u vështirësua edhe qarkullimi i automjeteve në autostradën Lushnje-Rrogozhinë, si pasojë e përhapjes së flakëve dhe tymit. Lëvizja e mjeteve u orientua nga punonjësit e policisë.