Durrësi duhet të ofronte një imazh komplet tjetër këtë sezon turistik, për më tepër që vjen pas dy viteve të vështira prej tërmetit dhe pandemisë.

Por panorama që ofron qyteti bregdetar është tej mase larg atij që duhet të kishte një bashki që turizmin e konsideron motorin e ekonomisë.

Kazanët e mbeturinave janë të tejmbushur, ndërsa apeli i qytetarëve në këto ditë të nxehta është vetëm një: Na hiqni plehrat, po mbytemi!

Operatori i “DurrësLajm” sjell pamjet e trishta të rrugëve të qytetit, ku grumbujt me mbeturina dergjen trotuareve, pasi kazanët janë të tejmbushur.

Një ditë më parë, në disa lagje periferike banorët ua vunë vetë flakën mbeturinave, pasi era e rëndë dhe infeksionet që rrezikojnë të përhapen prej dekompozimit të mbeturinave nën temperaturat 40 gradë Celcius, rrezikojnë seriozisht shëndetin e popullatës.

Prej disa ditësh, landfilli i Sharrës nuk pranon kamionët e Ndërmarrjeve të Shërbimit Komunal të Durrësit dhe Shijakut, duke përsëritur për të disatën herë të njëjtin skenar, që e ka vënë në zbatim javët e fundit, për të detyruar qeverinë të paguajnë koston e depozitimit të mijëra ton mbetje të bashkisë Durrës.