Qendrat e pritjes së azilkërkuesve për llogari të Italisë në Shëngjin dhe Gjadër duhej të ishin hapur më 1 gusht. Por kryeministrja italiane Giorgia Meloni sqaroi mbledhjen e fundit me ministrat e saj, të zbardhur nga mediat italiane, arsyet pse kjo nuk ka ndodhur ende.

“Këta muaj, siç e dinë mirë ministrat Piantedosi e Crosetto, kemi hasur disa vështirësi teknike të cilat po i kapërcejmë një nga një sepse besojmë shumë tek ky projekt novator“, tha Meloni.

Meloni nuk ka asnjë dyshim se qendrat do të jenë të suksesshme në qëllimin e tyre për të vënë rregull në lëvizjet migratore drejt Europës dhe për këtë rendit disa tregues.

“Mundësitë që ato të jenë efikase dallohen që nga mobilizimi jo vetëm i të majtës europiane, por edhe i OJQ-ve ndërkombëtare, që siç keni lexuar, po mobilizohen kundër marrëveshjes. Në të njëjtën kohë, shumica e vendeve anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit ta marrë si model për një zgjidhje novatore.”

Në këto qendra do të strehohen jo më shumë se 3 mijë emigrantë të jashtëligjshëm në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre të azilit, sipas marrëveshjes së 6 Nëntorit 2023 mes kryeministrave Rama e Meloni.