Sulejman Starova ka pritur një short ku Teuta të përballej me gjeorgjianët e Dinamo Tbilisit në turin e parë, por ai e cilëson të pranueshëm një kundërshtari si Sherifi i Tiraspolit, pasi “goglat” për durrsakët mund të shkonin edhe më keq.

Drejtori teknik i kampionëve të Shqipërisë kujton edhe një eksperiencë personale në Kupat e Europës kur drejtonte Tiranën, teksa tashmë kërkon që e njëjta gjë të ndodhi edhe me Teutën. Starova flet edhe për merkato, ndërsa aktualisht “djemtë e detit” kanë afruar vetëm mbrojtësin nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Dragarski.

Profesor, së pari a jeni i kënaqur nga shorti që ju vendosi përballë Sherif Tiraspolit në turin e parë të Ligës së Kampioneve?

Të them të drejtën në short kishim një mundësi të mirë dhe ishte pikërisht Dinamos Tbilisi, një skuadër që do të donim të përballeshim në këtë tur. Mirëpo, duke parë edhe se çfarë rrezikonim, unë mendoj se Sherif Tiraspoli është një kundërshtar i pranueshëm, pasi mund të kishim rivalë klube shumë të forta si Ludogorets apo Kairat.

Sa shanse ka Teuta për të eliminuar kampionët e Moldavisë dhe për kaluar një tur në Champions?

Kemi shanse, por se sa me përqindje nuk e gjej dot. Prapë, unë mendoj se kemi një mundësi të mirë për të arritur kualifikimin. Kam besim se skuadra do të luftojë deri në fund për këtë synim madhor në Champions.

Ndeshja e parë do të luhet në Durrës, ishte kjo një preferencë për kampin tuaj apo ndoshta më mirë ta kishit në transfertë?

Shiko, ndonjëherë kjo puna e fushës edhe të nderon kur nuk luan të parën në transfertë. Unë kam një eksperiencë personale kur drejtoja Tiranën në vitin 2010. Luanim ndaj ekipit hungarez, Zalaegerzi dhe kujtoj që në ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” dolëm 0-0 dhe i humbëm shpresat për kualifikim. Mirëpo, në ndeshjen e kthimit në Hungari ia dolëm të kualifikoheshim me një supergol të Karabecit në kohën shtesë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që nuk ka shumë rëndësi se ku e luan ndeshjen e parë. Ne duhet të besojmë te kualifikimi. Shpresoj që pse jo të përsëritet kjo histori personale që kam pasur me Tiranën edhe tashmë që Teuta luan kundër Sherifit.

Teuta po bën rreth dy javë që po stërvitet në Ohër. Si e keni parë gjendjen e ekipit?

Për mua ekipi është në një gjendje shumë të mirë. Kemi kohë të mjaftueshme deri në datën e ndeshjes, por mendoj se jemi gati. Do të zhvillojmë edhe dy miqësore këtu në Maqedoni dhe do të na vlejnë shumë në prag të ndeshjes me Sherifin.

Vetëm një afrim deri më tani në merkato. Çfarë i duhet Teutës për të bërë një hap të madh në sezonin e ri?

Çfarë na duhet?! Na duhen 2-3 lojtarë cilësorë për të qenë më të fortë dhe aty ku ne mendojmë se e kompletojmë skuadrën.