Nënpresidentja Kamala Harris dhe Presidenti Joe Biden do të bëjnë fushatë së bashku të hënën në Pensilvani, teksa zonja Harris bën përpjekje të paraqes kandidaturën e saj si “një rrugë të re përpara”. Ajo megjithatë i mbetet besnike Presidentit Biden dhe politikave të tij.
Dyshja do të marrin pjesë në paradën e Ditës së Punës në Pittsburgh dhe do të mbajnë fjalime. Kjo do të jetë hera e parë që të dy do të ndajnë tribunën së bashku, që nga tërheqja e Presidentit Biden nga gara për t’u rizgjedhur, duke u zëvendësuar nga zonja Harris, gjë që rriti entusiazmin demokrat.
Ekipi i fushatës së zonjës Harris ka thënë se votuesit e Pensilvanisë ndihen me energji të shtuar që kur Nënpresidentja mori emërimin e partisë gjashtë javë më parë. Ekipi ka njoftuar se janë regjistruar dhjetëra mijëra vullnetarë të rinj për të ndihmuar atë dhe guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, kandidatin demokrat për Nënpresident. Pjesëmarrja e zonjës Harris dhe Presidentit Biden në paradë, një nga më të mëdhat të tilla në vend, është pjesë e fushatës zgjedhore në shtetin fushëbetejë ndërsa kanë mbetur më shumë se dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Nënpresidentja Harris fillimisht shkon në Detroit të hënën për një tubim fushate përpara se të takohet me Presidentin Biden në Pensilvani.
Zonja Harris ka kërkuar të tërheqë votuesit duke e pozicionuar veten si një shkëputje nga politika me fjalor ofendues, duke hedhur poshtë retorikën e ashpër të kundërshtarit të saj republikan, ish-presidentit Donald Trump. Ajo gjithashtu po bën përpjekje të shkojë përtej epokës së Presidentit Biden. Megjithatë, ndërsa fjalimet e saj mund të jenë të ndryshme nga ato të zotit Biden, axhenda e zonjës Harris është plot me të njëjtat çështje që ai ka mbrojtur: kufizimi i kostos për ilaçet me recetë, ekonomia dhe ndihma për familjet për të përballuar kujdesin për fëmijët.
“Ne luftojmë për një të ardhme ku të ndërtojmë atë që unë e quaj një ekonomi që krijon mundësi që çdo amerikan të ketë mundësinë të zotërojë një shtëpi, të fillojë një biznes dhe të ndërtojë pasuri midis brezave. Të kemi një të ardhme ku ne ulim koston e jetesës për Amerikën”, tha ajo në një tubim të fundit, duke i bërë jehonë thirrjeve të ngjashme të Presidentit Biden.
Nënpresidentja Harris u shfaq shkurtimisht në skenë me Presidentin Biden pasi ai mbajti fjalimin e tij në natën e hapjes së Kuvendit Kombëtar Demokratik të muajit të kaluar. Por të dy nuk kanë mbajtur fjalime në të njejtën ngjarje politike që kur vetë zoti Biden po kandidonte për postin e Presidentit. Në atë kohë, ekipi i zotit Biden e përdorte zonjën Harris kryesisht si zëdhënësen e fushatës për të drejtat e abortit, një çështje që ata besojnë se mund t’i ndihmojë të fitojnë në nëntor.